Është mbajtur sot protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës, për skandalin e 5 drejtorëve në këtë institucion.
Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij përmendi operacionin financiar të kompanisë ‘5D’ të cilët kishin blerë gjysëm milionë euro apartamentin e Gramoz Ruçit.
Ai tha se, ky ishte pastrim parash sepse Gramoz Ruçi vazhdon e jeton në të njëjtin apartament edhe pse e ka shitur.
Ndërkohë këshilltari bashkiak i Tiranës Dorjan Teliti, tha se nuk do të dorëzohen deri në fund,
“Ne do largojmë Erionin, pseudo-mundësin, që financon industrinë e betonit, të krimit dhe korrupsionit, duke zhytur në varfëri 1 milion banorë të Tiranës. Qytetarët e Tiranës nuk meritojnë një kryeqytet të papastër.
Janë paguar 32 milionë euro për një vit për pastrimin e plehrave dhe plehrat janë kudo në kryeqytet. Të gjithë të qëndrojmë deri në largimin e Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Do të qëndrojmë deri në fitore”, tha Teliti.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se nuk do i ndalin protestat deri në arrestimin e Erion Veliajt.
Ai i bëri thirrje kreut të SPAK ose të arrestojë Erion Veliajn ose tia vërë vetë prangat vetes dhe hyr në vend të këtij hajduti në burg se po dëshmon se je partner në krim me këtë monstër që çdo ditë vazhdon e vjedh dhe abuzon me taksat e shqiptarëve.
“Çdo ditë që Erion Veliaj qëndron në këtë detyrë, ai vazhdon e vjedh. Një mesazh kam për kreun e SPAK, Altin DumDumanin, ose arresto Erion Veliajn ose vërja vetë prangat vetes dhe hyr në vend të këtij hajduti në burg se po dëshmon se je partner në krim me këtë monstër që çdo ditë vazhdon e vjedh dhe abuzon me taksat e shqiptarëve”, u shpreh Blushi.