25 vjeçarja pëson hemorragji cerebrale, në QSUT nuk i bëhet Arteriografia ! E reja prej tre javësh në spital, në rrezik për jetën

Një tjetër skandal ka përfshirë QSUT. Bëhet fjalë për 25 vjeçaren, Dajana Kalo, e cila që prej datës 29 dhjetor është shtruar në spital për shkak të një hemorragjie cerebrale si pasojë e një “Malformacioni Arteriovenoz (MAV)”. 25 vjeçarja, siç kanë bërë me dije edhe familharët e saj, është e paralizuar një njërin krah dhe njërën këmbë.

Dajana do të duhej që t’i nënshtrohej një ndërhyrje, por edhe pas tre javësh e shtruar në QSUT, kjo ndërhyrje nuk është bërë e mundur për shkak se nuk i është bërë ekzaminimi për Arteriografisë, duke vënë në rrezik jetën e saj.

Burime për mediat bëjnë me dije se për të bërë Arteriografinë, në spital ka dy pajisje.

Pajisja e ndodhur në urgjencën e QSUT thonë se nuk punon, ndërsa për atë që ndodhet në pavionin e neurokirurgjisë duhet miratimi i një mjeku, me këtë të fundit që nuk e merr përsipër. 

Një burim i tha Report Tv se mjeku që duhet të japë miratimin për ta ekzaminuar të renë, punon edhe te një spital privat. Ky spital është e vetmja strukturë jo publike në vend, që e ofron këtë shërbim me një çmim super të kripur, duke nisur prej 25.000 euro.

Por teksa jeta e 25 vjeçares është në rrezik dhe nuk dihet ende se përse mjeku nuk ka dhënë ende miratimin për t’i bërë asaj akzaminimin, familjarët e të resë kanë hapur një Gofundme, ku kërkojnë ndihmën e shqiptarëve për të përballuar shpenzimet, dhe mundësinë e kurimit të saj edhe në një spital privat, apo edhe jashtë vendit.

“Aktualisht po shqyrtojmë mundësi në spitalin publik, spitale private ose trajtim jashtë vendit per trajtimin pas operacionit, ku ekzistojnë ekspertiza dhe teknologjia e nevojshme. Këto alternativa kanë kosto shumë të larta, të cilat nuk mund t’i përballojmë vetëm”- shkruajnë mes të tjerash familjarët e 25 vjeçares.

Ndërkohë nuk ka ende një reagim nga ana e QSUT-së, se përse edhe pse janë dy pajisje për të kryer Arteriografinë, edhe pas tre javësh nuk është kryer ende, duke kthyer edhe njëherë vëmendjen te mungesa e shërbimit dhe sorrollatjeve në spitalet publike.