Një ngjarje e rëndë u raportua një ditë më parë në Durrës ku një shtetase e huaj nga Venezuela u hodh nga kati i dytë i një hoteli.
22 vjeçarja ram bi çadrën e një lokali dhe më pas u ndihmua nga skuadra e ndihmës së shpejtë.
Policia njoftoi më vonë se Darjana Linares ndodhej në dhomën e hotelit me 39-vjeçarin Ismet Zoto, nga Shijaku. Por mes tyre ka patur një konflikt fizik, nga i cili janë dëmtuar të dy lehtë, dhe pas kësaj vajza e huaj është hedhur nga kati i dytë.
Policia ka dyshime se 22-vjeçarja ushtronte aktivitetin e prostitucionit, ndërsa 39-vjeçari ishte klient. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 2 të qytetit, në një godinë që ishte marrë me qira dhe ishte përshtatur si hotel.
Ky hotel shërbente edhe për strehimin e disa vajzave të tjera, të cilat dyshohet se ushtronin të njëjtin aktivitet. Pas sherrit të ndodhur mes 22-vjeçares dhe shqiptarit, vajzat e huaja kanë bërë gati valixhet dhe kanë tentuar të largohen nga hoteli, por janë ndaluar nga policia dhe shoqëruar në komisariat.
Nisur nga kjo policia ka dyshime se hoteli në fjalë shërbente si bazë prositucioni.
Ndërkohë pas marrjes së ndihmës mjekësore, policia ka marrë në pyetje edhe shqiptarin e të renë nga Venezuela për të sqaruar rrethanat e këtij sherri që mund të përfundonte në një tragjedi.