Sali Berisha ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u pyet për herë të parë në lidhje me protestën e 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Ai tha se Edi Rama organizoi një nga protestat më të dhunshme, ndaj edhe deri më sot ai vetë nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria.
“Jam pyetur se çfarë ndodhi më 21 janar. Kjo mosthirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosthirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mosthirrjes.
Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA ka deklaruar dhe ka rideklaruar se me 21 janar, PS kishte axhendë dhune. Ku janë ata mbështetësit e saj? Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte axhendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj”, tha Berisha.
Ish-kryeministri deklaroi s eGarda nuk ka marrë asnjë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit, edhe pse dritaret e Kryeministrisë po goditeshin me gurë.
Sipas tij, Garda i kishte kërkuar të evakuohej, por ai nuk kishte pranuar dhe ka qëndruar deri në fund në zyrë.
Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër. Po, Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar nga unë, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë, tek dritarja ngjitur me tavolinën time dhe ministri, komandanti i Gardës kanë ardhur dhe më kanë thënë të evakuojmë, jo i thashë. Sepse unë isha jashtë me ambasadoren gjermane dhe u futa drejt e në zyrë. Unë isha në detyrë.
Të shkosh në një zyrë tjetër, jo unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime. Kryeministri nuk mund të bëjë zyrat sipas qejfit, është institucion kushtetues kryeministri. Kjo ka qenë kërkesa e tyre dhe unë kam qëndruar në zyrë deri në fund.
Aty ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar. Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin që të eliminonin zinxhirin e komandës në një kohë kur Edi Rama kishte deklaruar se, beteja tjetër do të ishte vendimtare dhe secili nga gardistët e thirrur janë paraqitur në prokurori.
Të gjitha të tjerat janë mashtrime”, u shpreh Berisha.