Me debate dhe akuza është shoqëruar seanca plenare e kësaj të hëne. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që seanca të përqendrohet te mocionet dhe interpelancat e kërkuara nga grupi parlamentar.
“Grupi parlamentar ka kërkuar një mocion me debat, një mocion edhe për kryetarin e Kuvendit dhe një interpelancë. Mendoj se që në nisje të kësaj seance ne duhet të fokusohemi te këto kërkesa. Së dyti, ne patëm një debat të gjatë në Konferencën e Kryetarëve për komisionet parlamentare. Është antikushtetuese. Ka vetëm një komision përgjegjës, dhe ai mban përgjegjësi për raportimin e institucioneve. Nuk ka disa komisione të privilegjuara”, tha Tabaku.
Ndërkohë kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi të respektohet rregullorja e Kuvendit, dhe të ndërpriteshin diskutimet jashtë rendit të ditës.
Por debatet nuk përfunduan këtu, pasi deputeti demokrat, Saimir Korreshi kërkoi nga mazhoranca që të anulohet seanca ku u miratua vetëm me votat e PS programi i qeverisë, ndërsa opozita u largua nga salla.
“Na vjen keq që mandati e parë këto dy shoqet dhe na u mërzitën, i përulemi, i kërkojmë falje. Ore e dinë ata kryetarë që je me një parti me ata apo se dinë?
Për t’i kthyer normalitetin kësaj seance je ti. E dyta, me fol në këtë seancë s’po na jep leje ti… ndaj kërkojmë kthim seance që të kthejmë atë ‘tobestrafkulla’ program.
Nuk është ashtu si thua ti atë programin, atë që keni bërë ju me buzëkuq dhe çizme me gisht para me thonjtë pa prerë. Ke një muaj o kryetar që as na jep fjalën, dhe ne hallexhinjtë vjedhin naj 2 minutsh për procedurë. Ne që sot jemi për kthim normaliteti, ktheje atë seancë dhe jemi gati që sot”, tha Korreshi.
Deputeti demokrat Flamur Noka akuzoi sot mazhorancën gjatë seancës plenare se po tallet me Kuvendin dhe qytetarët ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë po presin Ramën që të flasë mbi programin qeverisës.
“Ju po talleni me këtë Kuvend dhe me shqiptarët. Shqiptarët nuk mund të rrinë para ekranit dhe të shikojnë seanca 5 minutshe që zhvilloni ju. Ata presin që kryeministri të flasë për programin e qeverisë. Shqiptarët presin që sot të diskutohet në këtë parlament situata e nderë politike dhe ju keni një muaj që zhvilloni seancë pas seance sa për të thënë. Ne e dime që ka një urrejtje të kryeministrit për këtë parlament. Ai kërkon të projektojë në Shqipëri një Republikë ministrore. Ne këtu jemi për një agjendë tjetër, jemi këtu për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe për të kërkuar llogari në emër të shqiptarëve”- u shpreh Noka.
Në seancën e sotme mbajti fjalën për herë të parë edhe deputetja Zegjine Caushi, e cila nuk ngurroi që të “ngacmonte” kolegët e saj demokratë, duke u thënë se “do të përfundojnë si Gazi” duke ju referuar përjashtimit me 10 ditë të kreut të grupit parlamentar të PS.