17 vite më parë ndodhi një nga ngjarjet më tragjike në vendin tonë, shpërthimi në fabrikën e municioneve në Gërdec.
26 të vdekur dhe 300 të plagosur është bilanci i kësaj ngjarje tronditëse. Shpërthimi nuk kurseu as fëmijët, pasi mes viktimave ishte edhe Flavio Deliu, vetëm 4 vjeç.
17 vite pas, kjo çështje vijon të jetë e hapur ende për drejtësinë shqiptare. Familjarët e viktimave nuk heqin dorë dhe kërkojnë drejtësi, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili dha dorëheqjen pak ditë pas tragjedisë, ka mohuar akuzat ndaj tij.
Ish-ministri Mediu ishte një nga 29 personat e akuzuar si përgjegjës për vdekjen e 26 personave gjatë shpërthimit në pikën e demontimit të municioneve.
Ai u akuzua për shpërdorim detyre në bashkëpunim, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Por më 14 shtator 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e pushoi gjykimin ndaj tij, pasi u zgjodh sërish deputet duke marrë imunitet.
Ndërkohë, Gjykata shpalli fajtor 21 nga 29 të akuzuarit, por pjesa më e madhe e dënimeve u lehtësuan apo pezulluan disa vite më pas. Por pasi çështja u rihap nga SPAK, Mediu u mor i pandehur. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre.
Sot bëhen 17 vite nga dita që ndryshoi jetën e banorëve në Gërdec, që punonin në fabrikë për të mbajtur familjet e tyre, por 26 prej tyre gjetën vdekjen.