15 mijë dollarë për vizat drejt SHBA-së, Shqipëria nuk preket nga projekti i DASH

Projekti i Departamentit Amerikan të Shtetit për një garanci prej 15 mijë dollarësh për qytetarët që kërkojnë vizë amerikane, nuk e përfshin Shqipërinë.

DASH ka deklaruar se projekti pilot që do të zgjasë 12 muaj do të aplikohet fillimisht vetëm për shtetasit nga Malaui dhe Zambia.

Shqipëria nuk është momentalisht në listën e vendeve për shtetasit e të cilëve kërkohet garanci, por mund të shtohet më vonë së bashku me shumë shtete të tjera, nëse projekti do të funksionojë.

Projekti parashikon 3 nivele garancish: 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë dollarë, dhe do të jenë punonjësit e ambasadave që do të përcaktojnë se cilën shumë duhet të vendosin si garanci aplikantët, duke u bazuar në kriteret e rrezikshmërisë së shkeljes së vizave, një prej të cilëve është historiku i udhëtimeve.