10 ditë kërkime, gjendet trupi i pajetë i 42-vjeçarit në lumin Osum

Është gjetur sot në fshatin Kakrruk, në dalje të qytetit të Skraparit, trupi i pajetë i 42-vjeçarit Ilir Kurti, i cili dyshohet se u hodh në lumë mbrëmjen e 18 shkurtit në Kanionet e Osumit.

Denoncimin për humbjen e tij e kishte bërë nëna e tij, Çarçiko Kurti, mëngjesin e 19 shkurtit. Para se të hidhej në lumë, ai i kishte dërguar një mesazh vëllait, ku i shkruante: “Po hidhem në lumë”.

Kujtojmë që Forcat e Armatosura prej ditësh ishin në kërkim për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit, i cili dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur në lumë, 10 ditë më parë, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të kanioneve të Osumit në Skrapar.

Për gjetjen e 42 vjeçarit qe angazhuar vullnetarisht me forcat RENEA dhe një 22-vjeçar, banor i zonës por mbeti i bllokuar në kanionet e Osumit.

I riu arriti të shpëtohej dhe të nxirrej nga ujërat e Osumit, me 22 shkurt, falë operacionit që u koordinua nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në mbështetje të strukturave vendore dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave speciale RENEA dhe Forcat e Armatosura.