1 vit nga arrestimi i Fredi Belerit

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, u arrestua 1 vit më parë, në 12 Maj 2023, i akuzuar për korrupsion zgjedhor për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Gjykata e Posaçme e dënoi me 2 vite burg, teksa tashmë çështja ka kaluar në Apelin e Posaçëm, ku do të merret edhe vendimi i formës së prerë.

Por ndryshe nga çështjet e tjera, dosja e Fredi Belerit nuk qëndroi vetëm brenda gjyqësorit, por u kthye në një çështje politike edhe mes Shqipërisë dhe Greqisë, me këtë të fundit që po pengon hapjen e negociatave të vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Por çfarë ka ndodhur në 1 vit me Fredi Belerin, nga arrestimi deri te dënimi me burg?

Arrestimi dhe fitorja e zgjedhjeve…

Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK në 12 Maj të vitit 2023, vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve lokale, ku ai kandidonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të opozitës. Prokuroria e Posaçme e akuzonte për shitblerje votash, së bashku me Pandeli Kokaveshin, bashkëpunëtorin e tij.

Pavarësisht se ishte në burg, Fredi Beleri arriti të fitonte në zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë të vogël votash përballë kandidatit të mazhorancës, Jorgo Goros. Këtu fillon edhe kalvari i kërkesave për betim dhe lirim të tij.

Përgjimet e Fredi Belerit…

Media Ditari publikoi ekskluzivisht përgjimet e Prokurorisë së Posaçme për Fredi Belerin, ku tregohej si ai pagoi Arsen Ramën nga 50 euro për 13 vota, ndërkohë që si shpërblim për Ramën do të ishin 300 euro. Këtë shumë Beleri ia dha Arsen Ramës nëpërmjet Pandeli Kokaveshit.

Në pjesën e dytë të përgjimeve, Arsen Rama mori 400 euro për të siguruar 8 vota të tjera. Kujtojmë se Arsen Rama ishte informatori i Policisë, i cili çoi drejt kurthit Fredi Belerin.

Pjesa e tretë e përgjimeve tregon ndërhyrjen e Belerit për dy vajza që të merrnin nënshtetësinë greke, dhe në këmbim do të votonin për kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, teksa më pas edhe do të paguheshin për votën e dhënë.

“Lufta” me SPAK  dhe GJKKO për t’u betuar dhe akuzat ndaj Edi Ramës

Fredi Beleri dhe avokatët e tij kanë bërë përpjekje të mëdha për të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, por në asnjë rast GJKKO nuk e ka lejuar. Janë dhjetëra kërkesa që të lejohej vetëm për pak orë liri, por që të gjitha u refuzuan, si nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Apeli i Posaçëm.

Kërkesa për liri të përkohshme u bë edhe në Gjykatën e Lartë 3 herë, por sërish edhe ky institucion i drejtësisë nuk pranoi asnjë prej tyre, teksa e vetmja kërkesë që u pranua ishte lirimi për pak orë për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes.

Refuzimet e gjykatave bënë që Fredi Beleri të hidhte akuza se ato ishin të kapura nga kryeministri Edi Rama dhe po i shërbenin atij. Edhe gjatë seancave gjyqësore, por edhe në reagimet publike, Beleri ka akuzuar Ramën se e ka luftën politike me të dhe ka urdhëruar gjykatat që ta mbajnë në burg.

Ndërkohë, nga ana e tij, kryeministri Rama nuk e ka komentuar asnjëherë, por është shprehur se ai duhet të merret me drejtësinë.

Ndërhyrja e Greqisë dhe vetoja për anëtarësimin në BE

Pavarësisht se kandidoi nën logon e “Bashkë Fitojmë”, mbështetja e opozitës ndaj Fredi Belerit ka qenë shumë e vogël, vetëm me disa deklarata pak deputetëve dhe me disa postime në rrjetet sociale.

Luftën e vërtetë me drejtësinë dhe kryeministrin Rama e bëri Athina zyrtare, e cila u përfshi edhe më shumë se ç’duhet në një çështje të brendshme të Shqipërisë. Fillimisht ambasadorja greke në Tiranë, që ishte pjesëmarrëse e rregullt e seancave gjyqësore të Belerit, ndërsa më pas u përfshinë edhe aktorët e mëdhenj të politikës greke.

Disa kryebashkiakë dhe ministra morën pjesë në protestën pro Fredi Belerit të zhvilluar në Himarë, ndërsa Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis kërcënoi Shqipërinë në fjalimin e mbajtur në një konferencë ndërkombëtare se Greqia “nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe kryesisht parimet thelbësore të bashkësisë evropiane si demokracia dhe shteti ligjor”.

Pjesë e presionit grek u bë edhe vetë kryeministri Mitsotakis, i cili deklaroi se arrestimi i Fredi Belerit ishte gabim i madh nga ana e Shqipërisë. “I bëjë të ditur Shqipërisë se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe në rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Nuk do të toleroj qëndrime të tilla ndaj të minoritetit tonë etnik”, tha ai.

Deklaratat e tij nuk u komentuan sërish nga kryeministri Rama, i cili vijoi të thoshte se çështja e Fredi Belerit i takon vetëm drejtësisë.

Mbyllja e dosjes dhe dënimi me burg

Pasi siguroi të gjitha provat e nevojshme, Prokuroria e Posaçme mbylli dosjen dhe e dërgoi për gjykim. SPAK dha pretencë, ku kërkoi 2 vite e 6 muaj burg për Fredi Belerin dhe 2 vite për Pandeli Kokaveshin.

Gjatë seancave gjyqësore në vijim, Beleri vijoi akuzat ndaj SPAK dhe GJKKO, si dhe ndaj kryeministrit Rama, deri në 5 Mars, kur u dha vendimi përfundimtar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë. Gjyqtarët vendosën ta dënojnë Fredi Belerin me 2 vite burg, ndërsa Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj, të cilat do t’i konvertohen në 3 vite shërbim prove, për shkak të problemeve shëndetësore.

Pas vendimit të GJKKO, erdhi edhe reagimi nga Ministria e Jashtme greke, e cila shprehet se vendimi i gjykatës intensifikon shqetësimet e ngritura në lidhje me objektivitetin e procesit. Më tej thuhet se qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe pret një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të gjyqësorit.

Fredi Beleri e ankimoi vendimin dhe tashmë çështja do të gjykohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, me trupë gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Daniela Shirka, ndërsa anëtarë janë Dhimitër Lala dhe Iliriana Olldashi. Nëse Beleri dënohet edhe nga kjo gjykatë, atëherë në Bashkinë e Himarës pritet të ketë zgjedhje të reja për kryetarin e ri.

Kandidimi për eurodeputet nën siglën e partisë së kryeministrit grek Mitsotakis

Fredi Beleri është zyrtarisht kandidat për eurodeputet i partisë së djathtë greke “Demokracia e Re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Lajmi u konfirmua nga kryeministri i Greqisë, gjatë aktivitetit për prezantimin e fletëvotimit të “Demokracisë së Re” për zgjedhjet e 9 Qershorit. Po ashtu pjesë e listës së kandidatëve është peshëngritësi dhe kampioni i disa medaljeve olimpike për Greqinë, shqiptari Pirro Dhima.