Drejtori i Qendrës Kombëtare për Kundërterrorizmin në SHBA, Joe Kent, dha dorëheqjen nga pozicioni i tij, duke argumentuar se është kundër luftës në Iran dhe duke këshilluar presidentin Trump që të “ndryshojë kursin”.
Në një letër të publikuar të martën në llogarinë e tij në X, Kent deklaroi se Irani nuk paraqet një kërcënim të menjëhershëm për SHBA dhe akuzoi administratën Trump se “ka nisur këtë luftë nën presionin e Izraelit dhe lobit të tij të fuqishëm në Amerikë”.
Kent, 45 vjeç, është veteran i forcave speciale dhe i CIA-s, dhe bashkëshortja e tij, Shannon Kent, teknike e kriptologjisë në marinën amerikane, u vra në një sulm vetëvrasës në Siri në 2019.
Me largimin e tij, Kent bëhet figura më e spikatur e administratës Trump që kritikon publikisht operacionet SHBA-Izrael në Iran.
Në letër, Kent shkruante se më parë mbështeste politikat e jashtme të Trump dhe deri vitin e kaluar besonte se kishte kuptuar se “luftërat në Lindjen e Mesme kanë marrë jetën e patriotëve tanë dhe kanë shkatërruar pasurinë dhe prosperitetin e vendit tonë.”
Ai gjithashtu akuzoi se “zyrtarë të lartë izraelitë” dhe gazetarë influentë amerikanë kishin përhapur “informacione të gabuara” që kishin çuar Trump të minojë platformën e tij “America First”. Kent shkruante:
“Ky ekosistem informacioni u përdor për t’ju mashtruar, duke ju bërë të besoni se Irani paraqiste një kërcënim të menjëhershëm për SHBA. Kjo ishte një gënjeshtër.”
Kent, mbështetës i gjatë i Trump, i cili ka kandiduar pa sukses për Kongres dy herë, u nominua nga presidenti në fillim të administratës dhe u konfirmua me vështirësi për postin, duke u kritikuar nga shumë demokratë për lidhjet e tij me grupe ekstremiste, përfshirë anëtarë të Proud Boys.
Gjatë dëgjimit për konfirmim, ai nuk u tërhoq nga pretendimet se agjentë federalë kishin nxitur trazirat e 6 janarit në Kapitol dhe se Trump kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020.
Në Qendrën Kombëtare për Kundërterrorizmin, Kent raportonte tek Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe mbikëqyrte analizën dhe zbulimin e kërcënimeve terroriste nga e gjithë bota.
Më parë, Kent kishte shërbyer 11 herë jashtë vendit me ushtrinë amerikane, përfshirë me forcat speciale të Ushtrisë në Irak. Ai më pas u bë oficer paramilitar në CIA, përpara se të largohej nga shërbimi publik pas vdekjes së gruas së tij.
Kent përmendi shërbimin e tij ushtarak dhe humbjen e gruas në letrën e tij, duke thënë se “nuk mund të mbështes dërgimin e gjeneratës tjetër për të luftuar dhe vdekur në një luftë që nuk sjell përfitim për popullin amerikan dhe nuk justifikon koston e jetëve amerikane.”