Zjarri në urgjencën e QSUT, prokuroria regjistron ngjarjen si vepër penale: Të gjenden personat përgjegjës

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar si vepër penale rënien e zjarrit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.  Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 11 shkurtit, dhe I detyroi autoritetet të transportojnë në spitale të tjera pacientët dhe evakuojnë personalin shëndetësor. Shkak sipas ekspertizës u bë një keqfunksionim i baterive.

Prokuroria e ka regjistruar si vepër penale këtë ngjarje me akuzën “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, mirëpo nuk ka persona dhe as institucion nën hetim.

Regjistrimi i veprës penale është bërë për të hetuar dhe administruar të gjitha proavt në mënyrë që të dokumentohet shkaku dhe vlera e dëmit si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e këtij dëmi.  

Njoftimi i Prokurorisë:

Zjarri në Urgjencën e Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’, Prokuroria Tiranë regjistron procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, dt.29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024.

Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.