Zjarr i madh në një pallat në Tiranë, flakët rrezikojnë të gjithë kompleksin

Një zjarr ka përfshirë sot një pallat përballë QSUT, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi në katin e sipërm të godinës, ndërsa është shkrumbuar fasada e të gjithë pallatit.

Për shkak të përhapjes së flakëve, rrezikohet edhe një pallat ngjitur, duke shtuar rrezikun për të gjithë kompleksin e banimit. Ndërkohë mësohet se janë evakuuar banorët, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe zjarrfikësja. Këto të fundit po punojnë për shuarjen e flakëve.

Raportohet se në terren ka zbritur edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për të vëzhguar nga afër situatën, e cila vijon të jetë e rëndë.