Zjarret, Rama i ‘bën bilancin’ Europës: Gjatë gushtit janë djegur 440 mijë hektarë nga Spanja në Turqi

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në lidhje me situatën e zjarreve në vend dhe dëmet e pësuara deri më tani.

Kreu i qeverisë tha se janë 40 familj që kanë mbetur pa shtëpi ndërsa u premtoi se do kthehen në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë. Megjithatë Rama është “kapur” edhe me ndjekësit, të cilët kanë shprehur rezervat e tyre për mënyrn se si u menaxhua kjo situatë nga autoritetet tona.

Ndërkohë bëri edhe bilancin e sipërfaqeve të djegura në Europë, duke thënë se janë djegur 440 mijë hektarë nga Spanja në Turqi.

“Vijmë te një panoramë më e gjerë e kësaj situate. Në gusht, janë djegur 440 mijë hektarë në Europë, pjesa më dërrmuese në Europën Jugore, nga Spanja në Turqi. Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Këtë e them që të kuptohet një gjë.

Ne mund të flasim shumë, ca mund të thonë duhen ca roje apo avionë më shumë. Por, po flasim për rajone të mëdha që janë përballur me situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55.500 njerëz të evakuuar tani dhe dihet mirë se çfarë organizimi ka. Duhet një vëzhgim për të mos dalë menjëherë në konkluzione dhe për të kuptuar që ka gjëra që duhen bërë më shumë, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret. Ky është një fenomen që është gjithnjë e më prezent. Në mes të korrik, të dhënat e sistemit europian tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE, rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit. Dhe nuk mund të thuash që në ato nuk ka avion”- tha Rama.

Po ashtu ai iu përgjigj pretendimeve se udhëton me avion privat, ndërkohë që shteti nuk ka avionë për shuarjen e zjarreve.

“Po të kishim vetë avionët tanë do ishte më mirë, por kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje. Disa pa mendje kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë dhe qeveria paskemi blerë avionë për vete. Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë”, tha Rama.