Zhvati pacientët me Covid dhe familjarët e tyre gjatë pandemisë, prokuroria jep pretencën për Tiren dhe infermieret e tjera të spitalit

Prokuroria e Tiranës ka shpallur pretencën për sanitaren e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldërvishi, e cila në bashkëpunim me infermiere apo sanitare  të tjera në këtë spital, kishin krijuar një skemë të mirëfilltë gjatë pandemisë që të përfitonin nga pacientët e sëmurë me Covid 19 dhe familjarët e tyre.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për Tire Alldervishin për veprën penale, të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjelle pasoja të rënda.

Prokurori Beldar Valikaj ka kërkuar nga 6 vite burg për infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj dhe akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjetër Rukije Hoxhaj.

Denoncimi i tyre erdhi pas akuzës së vajzës së një prej pacienteve, e cila i kërkonte 10.000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin. Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 Lekë për infermierët dhe 5000 Lekë për doktoreshën, dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë.