Zgjidhet sot drejtori i ri i RTSH, favorit i preferuari i Edi Ramës

Ditën e sotme Radio Televizioni Shqiptar do të mësojë emrin e drejtorit të ri, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Enkelejd Joti në 13 Prill të këtij viti.

Këshilli Drejtues i RTSH-së hapi më 31 maj procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri. Afati i lënë për personat që të paraqisnin aplikimet e tyre ishte 10 ditë.

Në garë për kreun e ri të RTSH-së janë 4 kandidatë: Alfred Peza, Enrik Mehmet, Helidon Haliti dhe Laureta Roshi. Kandidatët do të prezantojnë platformat e tyre përpara Këshillit Drejtues, me këta të fundit që do të marrin vendimin për kreun e ri me anë të votimit të fshehtë.

Mësohet se i preferuari i kryeministrit Edi Rama për këtë post është Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe ish-Sekretari për Mediat i kësaj force politike. Vendosja e Pezës në krye të RTSH-së do t’i jepte mundësinë Ramës të kishte nën kontroll edhe një tjetër institucion që mbahet me taksat e shqiptarëve.