Janë zgjeruar hetimet ndaj zv.kryeministres, Belinda Balluku, e cila u pezullua nga detyra mje një vendim të GJKKO lidhur me abuzimet me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
Burime për mediat bëjnë me dije se në “sitën” e SPAK janë edhe 6 procedurat e tjera tenderuese të Unazës së Madhe.
Prokuroria e Posaçme ka dyshime se ashtu siç ka ndodhur me tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, edhe në këto procedura të tjera tenderuese, Balluku me vartësit kanë paracaktuar kompanitë fituese.
Kujtojmë se GJKKO pezulloi nga detyra Ballukun dhe i ndalon asaj të dalë jashtë vendit.
Ndërkohë nën masë sigurie “arrest shtëpie” janë Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli.
Ndërkohë pritet që të ketë të tjerë të pandehur sa i takon dosjes “Balluku”.
Më herët gjatë ditës u mësua se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimit të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit.
Kalaja i akuzon Ballukun dhe Cenon për “shpërdorim detyre”, kur Balluku ishte ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës dhe Klosi drejtor i Tatimeve.
Gjithashtu ajo ka kërkuar edhe nisjen e hetimit pasuror të Belinda Ballukut, teksa SPAK njofton se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.