Këtë të enjte (28 gusht) Komisioni Rregullator ka certifikuar me tre vota pro dhe dy kundër rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, aleanca e Partisë Demokratike 50 mandate, Partia Socialdemokrate tre, Partia Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat secila.
Pavarësisht ankimimeve të opozitës dhe rinumërimit të pjesshëm të kutive në disa qarqe, rezultati mbeti i pandryshuar.
Pas ankimimeve të opozitës ndaj rezultateve të disa qarqeve, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi rinumërimin e disa kutive zgjedhore, duke hapur pjesërisht kutitë në Durrës dhe Elbasan, dhe plotësisht në Fier dhe Tiranë. Megjithatë, edhe pas rinumërimit, asgjë nuk ndryshoi.
Pas këtij hapi, Presidenti Bajram Begaj do të dekretojë nisjen e legjislaturës së re dhe Kuvendi pritet të nisë punën në ditët në vijim.