Zgjedhjet e 2025-ës, Begaj: Dekretimi i datës, proces intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pasi ditën e sotme ka nisur konsultat me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Në një postim në rrjete sociale, Begaj shkruan se dekretimi i datës së zgjedhjeve, duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, përfshirë këtu qeveritarë dhe opozitarë.

Sipas presidentit të vendit, vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.

Kujtojmë se sot Begaj priti në një takim kryetarin e partisë “Mundësia”, PR, LZHK, PBDNJ dhe PDIU.

Reagimi i plotë i Begajt:

Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron.

Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre.

Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.

Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar.

Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit.

Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.

Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë.

Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre.