Zgjedhjet e 11 Majit, votim elektronik në njësinë 10 dhe Bashkinë e Vorës

Komisioni Rregullator në KQZ vendosi me 4 vota pro dhe një kundër që në zgjedhjet e 11 majit të zhvillohet votim dhe numërim elektronik në njësinë nr.10 në Tiranë dhe në Bashkinë e Vorës.

Votimi dhe numërimi elektronik do të aplikohet vetëm në dy zona, aty ku ka dhënë dakordësi edhe Partia Demokratike.

Votimi dhe numërimi elektronik u provua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 10 në kryeqytet. Ndërsa në vitin 2023, u zgjerua në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Ky model sjell rezultat të shpejtë menjëherë pas mbylljes së votimit, duke shmangur orët e gjata të numërimit dhe konfliktet.

Kujtojmë se Partia Demokratike ishte kundër votimit elektronik në zgjedhjet e 11 Majit, duke e konsideruar procesin të manipuluar dhe të pabesueshëm.

Në përgjigje të kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në tetor të vitit të kaluar, PD jepte si argument kryesor mungesën e transparencës për çështjet e pazgjidhura të zgjedhjeve të mëparshme dhe kohën e pamjaftueshme për të përmirësuar sistemin.