Delegacioni i OSBE/ODIHR ka zhvilluar një takim me prokurorët e SPAK dhe në Prokurorinë e Përgjithshme teksa sot nisi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR në Shqipëri kryesohet nga ambasadori Lamberto Zannier, i cili zhvilloi bisedime me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela.
Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, me në krye drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit me oficerë të policisë gjyqësore si dhe nga një forcë operacionale.
Edhe Prokuroria e Posaçme, me në krye Altin Dumanin, ka ngritur edhe një Task-Forcë për hetimin e krimeve zgjedhore.
Vetëm pak ditë më parë misioni i OSBE/ODIHR i dhuroi SPAK-ut 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të Prokurorisë së Posaçme në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Pajisjet, njofton OSBE do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë.
Kjo asistencë teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve, të cilat synojnë forcimin e aftësive të prokurorëve të posaçëm, hetuesve financiarë dhe hetuesve të BKH-së për mbledhjen, analizimin dhe hetimin e provave që lidhen me krimet zgjedhore.