Në zgjedhjet e 2025-ës, Korçës pritet t’i hiqet një mandat deputeti dhe t’i kalojë Tiranës, për shkak të numrit të lartë të popullsisë.
Kjo mundësi u la e hapur nga drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Korçën, Niko Peleshi, i cili në një komunikim për mediat nga Erseka tha se kjo mund të ndodhë për shkak të rezultateve të Censit, që treguan një rënie të popullsisë në këtë qark dhe rritjes se popullsisë në Tiranë.
Qarku juglindor rrezikon të mbetet me 10 mandate në zgjedhjet parlamentare të 2025 nga 11 që ka pasur. Ndërkohë Peleshi foli me siguri se edhe nëse ndodhë kjo, PS do të fitojë 6 mandate në zgjedhjet e ardhshme.
“Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, edhe pse Korça ishte më numrin më të pakët të largimit të popullsisë referuar Censusit. Synimi ynë do jetë i njëjtë, duam të ruajmë 6 mandate me dy deputetë diferencë nga PD, por duke patur parasysh potenciainl e ri që i ofrohet politikës me këtë kod të ri zgjedhor, që është votë e diasporës, objektivat mund të rriten, sepse kemi aq votues në diasporë sa në Shqipëri. Një nga pikat e takimit në çdo bashki është dhe organizimi për votën e diasporës. Në rast se janë 10 deputetë do të ketë 3 mandate të mbyllura, në rast se janë 11 deputetë do të ketë 4 mandate të mbyllura”, tha Peleshi.