Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet të hënën në Londër me liderë evropianë, në një demonstrim solidariteti, pasi Presidenti amerikan Donald Trump e akuzoi se ende nuk ka lexuar propozimin e fundit të paqes, ndërsa Moska përshëndeti qasjen e re të Uashingtonit ndaj Evropës.
Trump kritikoi Zelenskyn pasi bisedimet në Miami mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas përfunduan pa marrëveshje mbi garancitë e sigurisë dhe çështjet territoriale. Ai tha se Rusia është “në rregull” me planin e paqes, por se nuk është i sigurt nëse “Zelensky është po aq i kënaqur”.
Komentet e tij vijnë në të njëjtën kohë që Kremlini përgëzoi strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila mban një ton më të ashpër ndaj Evropës dhe shmang ta përshkruajë Rusinë si kërcënim, siç kishin bërë administratat e mëparshme.
Në këtë atmosferë të tensionuar, Zelensky pritet të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Macron tha se liderët evropianë do të “vlerësojnë së bashku situatën” pas bisedimeve në Miami, të cilat u mbyllën pa rezultate konkrete.
Negociatorja ukrainase Olga Stefanishyna tha se “çështje të vështira mbeten”, veçanërisht ato që lidhen me territorin dhe garancitë e sigurisë. Bisedimet përfshinë të dërguarin amerikan Steve Witkoff, Jared Kushnerin dhe dy zyrtarë të lartë ukrainas.
Ndërkohë, Moska po vazhdon presionin ushtarak. Fundjavën e kaluar, Rusia lëshoi një prej sulmeve më të mëdha me dronë e raketa të muajve të fundit, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike. Rajone të tëra, përfshirë Kievin, u përballën me ndërprerje të gjata të energjisë.
Ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur rafinerinë ruse të naftës në Ryazan, një nga më të mëdhatë në vend, ndërsa Moska nuk ka reaguar ende mbi pretendimin.