I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka vijuar me dëshmitë e tij sot në GJKKO, duke treguar sesi ishte porositur për të vrarë persona, me urdhër të Erjon Alibeaj.
“Erjon Alibeaj kishte bërë një listë me dhjetë persona për t’i vrarë. Në krye të kësaj liste ishte Talo Çela dhe Emiliano Ramazani”, ka deklaruar Nuredin Dumani në seancën gjyqësore.
Po kështu pjese e listës ishin edhe vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Altin Ndoci, Besmir Haxhia si dhe Dorjan Shkoza. Ky i fundit mbeti i vrarë në qytetin e Durrësit.
Ndërsa në ngjarjen ku humben jetën vëllezërit Viktor e Besim Haxhia, Dumani i tha gjykatës së shënjestër ishte Besmir Haxhia, ndërsa vëllai i tij Viktori, mbeti viktimë rastësisht.
Gjithashtu, më herët, Nuredin Dumani deklaroi para GJKKO se për t’u liruar nga burgu në vitin 2014 e ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Nasip Naço. Ai deklaroi se ndërmjetës ishte avokati Alban Bengasi dhe se për lirimin pagoi shumën prej 40 mijë eurosh.
Ndërkohë seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” do të mbahet të enjten, në orën 10:00.