Zbardhet drafti i qeverisë sa i takon Amnistisë Penale, ku pritet të përfitojnë mbi 10 mijë persona, me 380 të burgosur që pritet të lirohen menjëherë dhe 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi.
Nësë drafti do të marrë miratimin e deputetëve në Kuvendin i Shqipërisë, nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit të kaluar, me përjashtim të disa kategorive të veprave penale.
Lirim të menjëhershëm do të përfitojnë edhe të gjitha gratë që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji do t’u ketë mbetur edhe 4 vite burg për të vuajtur, pavarësisht masës së dënimit, apo burrat që deri në hyrjen në fuqi të ligjit do të kenë edhe 3 vite të tjera burgim, pavarësisht sa janë dënuar.
Do të lirohen të gjitha gratë që në momentin kur hyn ligji në fuqi kanë mbushur 50-vjeç. Gjithshtu, edhe burrat duke nisur nga 60-vjeç, si dhe personat që ishin të mitur kur kryen veprën penale.
Ndërkohë 1 mijë të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Sipas draftit, është parashikuar ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.
Nuk përfitojnë amnisti personat që i janë shmangur drejtësisë, si ata të arratisur ose të fshehur, dhe të dënuarit për krime të rënda, përfshirë krime kundër jetës dhe njerëzimit, krime seksuale, terrorizëm, vepra që cenojnë rendin kushtetues, autoritetin e shtetit, mjedisin, ekonominë dhe pasurinë, si dhe veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe demokracinë.
Amnistia nuk do të prekë personat me burgim të përjetshëm dhe ata të cilët gjykohen ose janë në hetim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.