Xhon Metaj

Ndërhyrja e Athinës zyrtare në çështjet e drejtësisë shqiptare për Fredi Belerin, erdhi si një mundësi e artë për disa analistë dhe gazetarë grekofilë, të cilët u shfaqën si ato kërpudhat pas shiut për të mbrojtur minoritarin e arrestuar në flagrancë për një vepër penale që dënohet nga legjislacioni shqiptar.

Aroma e “çorbës” që krijoi Greqia arriti deri në hundët e tyre, të mbyllura prej kohësh dhe në pritje të një tjetër rasti ideal. Por cili është shqetësimi i vërtet i këtyre pseudo-shqiptarëve, të cilët kanë shitur dinjitetin e tyre për një tas çorbë greke.

Sigurisht që asnjërit prej tyre nuk i intereson Fredi Beleri, pasi ky i fundit është thjesht personi i radhës, por ajo që u intereson është përmendja e emrit të tyre në tavolinat e zyrtarëve grekë, për të treguar se po i shërbejnë denjësisht vendit nga i cili presin të mbushin atë tasin që u mban frymën gjallë deri në çështjen tjetër.

Në disa emisione në televizionet kombëtare dhe jo vetëm të vendit tonë, kemi parë lloj-lloj anal-ista dhe pseudo-gazetarë grekofilë që flasin për të drejtat e minoritetit, për paligjshmërinë në arrestimin e Fredi Belerit dhe për të drjjtën që ka Athina të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit tonë, por kur pyeten për të drjejtat e çamëve, heshtin. Po, heshtin pasi nuk kanë asnjë argument për t’u mbrojtur, ndaj vetëm përpiqen të bëjnë zhurmuesin dhe t’i shmangen një çështje që është shumë më e madhe se disa Belerë të marrë së bashku.

Nga ana tjetër, Greqia shikon e vetëkënaqur sesi “çorba” që gatoi po ngatërron politikën shqiptare, me shpresën për të arritur atë 20% në census që do t’i siguronte ndikim më të madh në ato zona. Për t’i ardhur në ndihmë Athinës po “punon” edhe opozita, e cila “për inat të vjehrrës (Ramës), po fle me mullixhiun (Greqinë)”.

Pasi kandidoi një person që ka shfaqur hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, duke i quajtur kaukazë dhe duke përdhosur simbolet tona, për të mos folur për akuzat për masakrën e Peshkpisë, opozita dërgon në emisione anëtarë të saj për të mbrojtur pikërisht Belerin dhe Greqinë, vetëm për të kundërshtuar kryeministrin Rama.

Ky i fundit po e përdor mjaft mirë këtë çështje për të dalë në sytë e qytetarëve si një patriot i vërtet që po mbron trojet shqiptare, por në 10 vite qeverisje nuk ka patur guximin të flasë për të drejtat e çamëve, për tokat dhe pasuritë e grabitura nga Greqia.

Nëse Greqia kërkon të drejtat e grekëve në Shqiëpri, atëherë edhe ne duhet të kërkojmë të drejtat e çamëve. Marrëdhënia duhet të jetë reciproke, pais Greqia ka treguar se nuk ëhstë vend mik, por vetëm vend fqinj, që përdor kartën e integrimit në Bashkimin Europian sa herë që i cënohen interesat.

Integrimi në BE duhet të jetë prioritet i qeverisë, por nëse ky integrim na detyron të harrojmë çështjen çame dhe të helenizojmë jugun, atëherë nuk e duam. Nuk mund të shkelet mbi të drejtat e shqiptarëve për interesat greke vetëm për t’u integruar në një bashkësi që ka treguar se nuk na do, pasi na mban në pritje prej shumë e shumë vitesh.

Të drejtat e shqiptarëve duhet të jenë prioritet kryesor, më pas marrëdhënia me fqinjët e në fund minoritetet. Përsa u përket këtyre të tasit të çorbës, Greqia ka premtuar se do t’u hedhë edhe një lugë lëng mishi nëse vazhdojnë kështu siç e kanë nisur, por për të arritur deri te copa e mishit, do t’u duhet një lëpirje shumë më e madhe.

Te ngjashme