Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë këtë të hënë se është i gatshëm për fillimin e formimit të Asosacionit me Kosovën.Në një intervistë për mediet serbe, Vuçiç është shprehur se Serbia është e gatshme për kompromise. Kërkesa e tij është që kryetarët e zgjedhur në komunat në Veri të japin dorëheqjen.
“Ne jemi të gatshëm për kompromise, thjesht po kërkoj që të largohen kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqjen. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojmë formimin e Asociacionit”, tha presidenti i Serbisë për TV Happy.
Udhëheqësi serb ka folur dhe për takimet me të dërguarin e BE, Miroslav Lajçak dhe disa përfaqësues amerikanë e të BE, ku shprehet se bisedat nuk kanë qenë të lehta duke theksuar se situata në Veri po komplikohet.
“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçak, me disa përfaqësues amerikan dhe me një nga përfaqësuesit të lartë të BE-së mbrëmë vonë. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë”, deklaroi Vuçiç
Ai ka thënë gjithashtu se bisedat me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emanuel Macron kanë qenë të vështira, por theksoi se ka respekt të madh për ta.
“Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj, nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, është shprehur Aleksandër Vuçiç.