Vritet me thikë 17 vjeçari shqiptar në Greqi

Një 17 vjeçar shqiptar është vrarë me thikë në Loutraki të Greqisë, ndërsa një 19 vjeçar u dërgua i plagosur në spital.

Mediat e vendit fqinj bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, në një rrugë të qytetit, dhe policia greke po kryen hetime intensive për të zbardhur rrethanat e sakta.

Sipas informacioneve, 17-vjeçari Aleks Vangjeli u gjet i plagosur rëndë dhe u transportua në spital nga i vëllai i tij, por nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve.

Ndërkohë dyshohet se 19 vjeçari ishte plagosur gjatë sherrit me thikë me 17-vjeçarin dhe po tentonte të fshihte atë që kishte ndodhur. As i vëllai i viktimës dhe as i plagosuri nuk kanë dhënë një version të qartë për atë që ndodhi.

Autoritetet policore po vazhdojnë hetimet për të mbledhur dëshmi dhe për të kuptuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në këtë incident. Hetimi përfshin intervistimin e dëshmitarëve, analizimin e vendit të ngjarjes dhe provave të tjera fizike, që mund të ndihmojnë në sqarimin e ngjarjes.