Vrasja e trefishtë në Kosovë, në kërkim babai dhe dy djemtë e tij

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Gjilanit të dielën, ku tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë në një sulm me armë zjarri që ndodhi rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se një person është arrestuar në vendngjarje, ndërsa tre të dyshuar të tjerë – Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë shpallur në kërkim dhe ndodhen ende në arrati.

I plagosuri ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, në gjendje të rëndë.

Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë e tre personave të shpallur në kërkim dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e tyre. Ndërkohë, për tre të kërkuarit është bërë kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pas ngjarjes duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkoi veprim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Ajo theksoi nevojën për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për të ndalur me vendosmëri veprimet kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjithashtu reagoi për vrasjen e trefishtë, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.