Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapja për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit, ngjarje kjo e ndodhur në 2012-ën, në qytetin e Elbasanit.
Treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli, Ervis Bardhi duke miratuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.
Vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, ndodhi në orët e para të mëngjesit të 15 gushtit 2012 në qytetin e Elbasanit. Sipas hetimeve dhe vendimeve gjyqësore, autorët u futën në banesën e familjes Beqiri dhe i ekzekutuan të dy me armë zjarri, ndërsa ata ndodheshin duke fjetur.
Zbardhja e ngjarjes është bërë e mundur përveç provave të tjera edhe bazuar në dëshminë e të penduarit Ervis Bardhi që ka shpjeguar me detaje planifikimin dhe realizimin e ngjarjes si dhe personat e implikuar.