Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim çështjen në ngarkim të 14 vjeçarit Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani, ngjarje kjo e ndodhur më datë 18 Nëntor pranë shkollës “Fan Noli”.
Gjyqtarja Migena Laska ka pranuar kërkesën e prokurorisë për gjykim të dosjes penale teksa 14 vjeçari akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”. Ndërkohë Gjykata rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14-vjeçari, Përlleshaj.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, shoku i Martinit, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur në sherrin mes të rinjve, tha se është i gatshëm të dëshmoj në gjykatë ndërsa kërkoi drejtësi.
“Seancën nuk e kam përjetuar aq mirë. Duam drejtësi”, tha Meçja teksa ishte në krah të nënës së Martin Canit.
Kujtojmë se dy 14 vjeçarët ishin konfliktuar në rrjete sociale dhe më pas fizikisht, ku Përlleshaj qëlloi me thikë Canin duke i shkaktuar plagë që do t’i merrnin jetën.
Ngjarja tronditi të gjithë opinionin publik ku u kërkua edhe dorëheqja e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Disa protesta janë organizuar që prej vrasjes që ndodhi afër shkollës 9 vjeçare në Tiranë ndërsa prindërit e tij kërkojnë drejtësi.