Policia e Pogradecit ka shoqëruar një person si të dyshuar për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teco, e cila u gjet e pajetë brenda banesës së djegur.
Raportohet se i shoqëruari Ilirjan Selmani është dërguar në vendngjarje për ndërtimin e skemës së krimit.
Teksa shoqërohej nga uniformat blu, autori i dyshuar shfaqej i buzëqeshur dhe më pas dëgjohet të thotë: ‘Nuk jam unë vrasësi, jo’.
Dyshohet se Ilirjan Selmani ka patur lidhje intime me viktimën. Por një pistë hetimi është edhe ajo e motiveve për konflikte pronësie.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Pogradec dhe fillimisht u raportua se Teco humbi jetën si pasojë e asfiksisë nga zjarri në banesë. Por nga këqyrja e trupit të viktimës, janë konstatuar shenja dhune. Policia njofton se nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.
Njoftimi i policise:
Pogradec/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë për zjarrin e rënë në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., e cila humbi jetën, bëjmë me dije se:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe veprime eksperimentale, për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së shtetases K. T., 52 vjeçe.
Nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.
Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Veprimet hetimore vijojnë dhe në përfundim do të japim informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje.