“Vrasës”, familjarët e viktimave të Gërdecit “shpërthejnë” në gjyqin ndaj Mediut, ish-ministri kundër akt-ekspertimit të SPAK

Është shoqëruar me tensione të forta dhe debate seanca gjyqësore, ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, në lidhje me shpërthimin në Gërdec.

Familjarët e viktimave i janë drejtuar me fjalën “vrasës” Mediut dhe kanë kërkuar që ai të arrestohet në lidhje me shpërthimin tragjik në 2008-ën.

Ti je vrasës, e kanë fajin prokurorët qe s’te arrestojnë”- kanë thënë familjarët e viktimave.

Ndërkohë ish-ministri dhe mbrojtja e tij kërkojnë nga GJKKO akt të ri ekspertimi për dëmin ekonomik në Gërdec.

Përmes avokatëve të tij Mediu pretendoi se akt-ekspertimi i paraqitur si provë nga SPAK ka probleme në formë dhe në përmbajtje. 

Sipas mbrojtjes, vendimi për akt-ekspertimin nuk i është bërë me dije Mediut gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme e në kushte të papajtueshmërisë ligjore. Më tej argumentojnë se 4 nga ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërore dhe pa licensimet përkatëse, ndërsa i pesti nuk kishte njohuri financiare.

Pas kësaj kërkese, Gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit për të vendosur nëse do e pranojnë ose jo.