Vota e emigrantëve drejt dështimit? KQZ ngre alarmin: Nuk del koha!

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u ka dërguar një letër partive politike në lidhje me pamjaftueshmërinë e kohës për të çuar dhe për të marrë zarfin me votën e emigrantëve.

Ilirjan Celibashi, informon palët se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës, ndërkohë që afatet që KQZ ka në dorë janë 10-12 ditë.

Sipas kreut të KQZ, vota e diasporës mund të realizohet vetëm me postë express dhe se duhet përjashtuar kategorikisht alternativa e dërgimit të fletës nga votuesi drejt KQZ me postë të thjeshtë pasi kjo e fundit nuk ka gjurmim të asnjë lloji. Gjithashtu, KQZ rekomandon që dërgimi dhe kthimi i votës të bëhet me të njëjtën postë.

“Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që ju duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse te votuesve jashtë vendit është 45 dite.

Koha më e shkurtër, por qe do ta vinte gjithsesi në vështirësi/pasiguri procesin është 30 ditë. Sikurse ju e dini afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidateve, se bashku me kohën për prodhimin e fletëve te votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30 – 45 ditë. Praktikat e vendeve të tjera ku disa prej këtyre operatoreve janë angazhuar në votimin nga jashtë konfirmojnë afatin e dërgimit dhe te kthimit te fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo më të pakët se 45 ditë.”