Vota e Diasporës/ Qindra emigrantë aplikojnë për t’u regjistruar, Celibashi sqaron se si veprohet nëse kërkesa refuzohet

Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat, duke u fokusuar te vota e Diasporës, pasi ditën e sotme ka nisur regjistrimi i emigrantëve në platformën (PER). Afati i regjistrimit do të jetë deri më datë 4 mars.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se janë me qindra emigrantë që kanë bërë kërkesë për tu regjistruar, por deri tani kryesojnë më shumë emigrantët nga Gjermania, Italia, Britania, Greqia.

Celibashi ka bërë me dije se pas pak do të nisë edhe procesi i shqyrtimit të kërkesave.

Kryekomisineri ka sqaruar gjithashtu se në rastet kur një kërkesë refuzohet, qytetari ka të drejtën të riaplikojë në një numër të palimituar herësh, në rast se mendon se refuzimi i tij nuk është i përligjur.

Ndër të tjera, ai u pyet edhe në lidhje me disa negociata që PD dhe PS duket se po bëjnë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që ajo të mos bllokohet për shkak të afateve kohore.

Celibashi shtoi se nuk është në dijeni të këtyre ndryshimeve, por shtoi se ka nevojë për disa ndryshime, si kosto e pagesës për shërbimin postar apo çështja e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore.