Vota e Diasporës, PS dhe PD bien dakord për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Janë zbardhur propozimet që PS dhe PD kanë rënë dakord lidhur me ndryshimet që do të bëhen në kodin Zgjedhor për votën e Diasporës. Mësohet se propozimet e dy palëve janë dorëzuar në Kuvend dhe pritet që të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.

Ndryshimet lidhen me afatin e prodhimit të fletës së votimit, e cila duhet shpërndarë më shpejt tek emigrantët që do të votojnë me postë.

Ndërkohë sa i takon numërimit të fletëve të votimit, në draft thuhet se pas mbërritjes së fletëve të votimit, dy partitë kryesore në maxhorancë dhe opozitë do të marrin pjesë në procesin e numërimit. Shpenzimet për votën e Diasporës do të mbulohen nga KQZ.

Sipas propozimit të PS dhe PD, partitë do të kenë detyrimin që të cojnë emrat e kandidatëve në KQZ, 60 ditë para zgjedhjeve dhe jo 50 ditë sic ishte më parë

Propozimet e PS-PD për votën e diasporës:

Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Titulli i nenit 25/1 riformulohet si më poshtë:

Neni 25/1

“Procedura e votimit nga jashtë”

Neni 2

Neni 25/1, pika 3, fjalia e parë riformulohet si më poshtë:

Neni 25/1

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.

Neni 3

Neni 25/1, pika 4 shfuqizohet

Neni 4

Pas nenit 25/1 shtohet neni 25/2 me këtë përmbajtje:

Neni 25/2

Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

  1. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
  2. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
  3. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.
  4. Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë  administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.
  5. Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.
  6. Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.