Vota e Diasporës/ Mbi 250 mijë kërkesa për regjistrim 2 javë para përfundimit të afatit, kryesojnë shqiptarët e Italisë dhe Greqisë

Mbi 250 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë bërë kërkesë për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, nga janari ku nisi edhe procesi e regjistrimit e deri tani janë 253,197 kërkesa për regjistrim. Dy javë para përfundimit të afatit, 163,410 kërkesa janë miratuar duke marrë dritën jeshile nga KQZ.

Duhet theksuar se emigrantët kanë kohë deri më 4 Mars për t’u regjistruar në platformën PER të KQZ, që më pas të votojnë në zgjedhje.

Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Italia, më pas Greqia dhe Gjermania, më pas SHBA dhe Anglia.

Sa i përket grupmoshave më shumë të interesuara për të aplikuar, kryesojnë grupmosha 26-35 vjeç, e ndjekur nga grupmosha 36-45 vjeç. Grupmosha më pak e interesuar duket se është ajo 18-25 vjeç, me vetëm 27,423 aplikime ose 10.8%.

Kjo është hera e parë që Diaspora voton në zgjedhje ndërsa vetëm pak ditë më parë, PS dhe PD bashkuan votat për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, lidhur me votën e Diasporës.