Vota e Diasporës/ Kreu i KQZ tregon detaje: Më 11 janar fillon regjistrimi i votuesve nga jashtë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit të ri të mbarë dhe plot shëndet në familjet e tyre.

Krahas urimit, Celibashi ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vebdit. Ai pohon se më 11 janar 2025 do të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Ai u shpreh se regjistrimi bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) të votuesve nga jashtë në të cilën mund të logohesh nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.

Diaspora shqiptare do ketë mundësi për herë të parë të votojë për kandidatët e tyre të preferuar, pa patur nevojë të udhëtojnë drejt Shqipërisë, por nga atje ku janë përmes postës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj tashmë ka dekretuar 11 majin 2025, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Mesazhi i plotë i Celibashit:

Duke uruar gjithë shqiptarët për një Vit të Ri 2025 me shëndet e mbarësi për ta, njoftoj se në datën 11 Janar 2025, fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025.

Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.Ky është një moment historik për zgjedhjet në Shqipëri, pasi për herë të parë bashkëqytetarët tanë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata e kanë vendqëndrimin e tyre.