Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se ka nisur procesi i vulosjes së fletëve të votimit për Diasporën.
Duke folur për mediat nga Parku Olimpik i Tiranës, kryekomisioneri u shpreh se fletët e votimit do të futen në zarfe dhe të premten në mesnatë do përfundojnë vulosjen e tyre.
“Këtu në Parkun Olimpik janë prezent dhe disa subjekte politike, që po monitorojnë procesin. Kemi nisur me futjen fletëve të votimit në zarfe. Nesër në mesnatë përfundojmë vulosjen e fletëve të votimit. Dokumentacionin zgjedhor shpresojmë ta mbyllim brenda javës’, tha ai.
Ai theksoi se shpërndarja e tyre do të nisë javën e ardhshme. Kryekomisioneri Celibashi tregoi afatet dhe procedurat për mënyrën se si duhet të veprojnë qytetarët shqiptarë, që janë jashtë vendit.
Ai u shpreh se çdo fletë votimi, që futet në Shqipëri pas datës 11 maj nuk do t’i nënshtrohet procesit të numërimit. Në këto rrethana, Celibashi apeloi që votuesit të shfrytëzojnë me korrektesë afatet kohore.
“Koha që do kenë në dispozicionm, nëse fillojmë shpërndarjen të hënën që vjen, brenda një dite, për Italinë, Greqinë, do e kenë zarfin në shtëpinë e tyre. Data 2-3 maj, të jetë data e fundit. Postieri do të shkojë herën e parë, nëse nuk e gjen, do i lërë shënim dhe një orar. Edhe nëse herën e tretë nuk realizohet, do i lihet shënim votuesit, që dokumentacioni zgjedhor ndodhet në zyrë postare, ku mund të paraqitet për ta tërhequr. Nëse deri në datën 3 maj, jo përtej një date të tillë, duhet llogaritur dhe koha që duhet të kthehet zarfi në Shqipëri. Do duhet 4-5 ditë për ta kthyer mbrapsht. Çdo zarf që ka vulën e hyrjes, pas datës 11 maj dhe orës 19:00, nuk i nënshtrohet procesit të numërimit”, theksoi ai.