Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës se kishte marrë databazën e Partisë Demokratike dhe e përdorte për të telefonuar votuesit demokratë.
Në emisionin “Noë” me Erla Mëhillin, Shehaj tha se deklarata e Berishës është e pamoralshme, pasi jo vetëm që nuk ka vjedhur, por ka qenë ai që ia ka dhënë databazën PD-së së Sali Berishës.
Shehaj tregoi se kur Lulzim Basha mori selinë, vulën dhe databazën e të dhënave, Rithemelimi ishte pa asnjë gjë dhe as që e kishin idenë se cilët ishin mbështetësit e tyre, teksa të vetmet informacione për të rindërtuar strukturat e Partisë Demokratike i kanë marrë nga ai.
“Thotë që unë paskam vjedhur. Është e pamoralshme kjo gjë, sepse unë kur kam qenë në zgjedhje me Lulzim Bashën, Lulzim Basha më ka mohuar të drejtën e listave të votuesve të Partisë Demokratike. unë kam marr disa informacione në lidhje me garën kundër Lulzim Bashës dhe të vetmet informacione që kam unë kanë të bëjnë me këtë moment të garës së Lulzim Bashës. Kur Lulzim Basha vodhi databazën, vulën, selinë, vodhi gjithçka, Partia Demokratike e vërtetë, ajo e Sali Berishës, ishte pa asnjë gjë. Nuk dinin ku ishin.
Nuk kishin Seli nuk kishin të dhëna nuk dinin kush ishin anëtarët nuk kishin absolutisht asgjë. Të vetmet informacione që kanë patur për të rindërtuar strukturat e Partisë Demokratike, i kanë marrë nga unë. Unë i kam ndihmuar me informacione në lidhje me strukturat e Partisë Demokratike dhe për këto informacione që unë i kam dhënë, që normalisht i kisha, këta më akuzojnë tani që unë i kam vjedhur. Unë nuk po them që unë nuk i kam, por unë po i marr të gjithë”,-tha Agron Shehaj.