Vlerësimi i masës së sigurisë, dhjetëra mbështetës të Veliajt mblidhen para GJKKO-së

Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa do të njihen sot me masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme.

Kryebashkiaku prej dy ditësh ndodhet në qelitë e paraburgimit, ndërsa Xoxa ishte është lënë në “arrest shtëpie”, pas akuzave të SPAK për korrupsion dhe fshehje pasurie.

Ndërkohë, dhjetëra mbëhstetës të Velajt, mes tyre edhe punonjës të Bashkisë së Tiranës, janë mbledhur përpara Gjykatës së Posaçme në mbështetje të kryebashkiakut.

Dy ditë më parë, SPAK zbardhi skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash. Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo. Ndërkohë janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës në shumën 869 mijë euro si dhe nga kontrollet në qendrën Harabel janë gjetur 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665 mijë lekë, të cilat po ashtu janë sekuestruar.

Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.