Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka folur për skandalin e vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS.
Ai ka akuzuar drejtorin Ervin Muço se ka përdorur kompaninë e tij private për të marrë të dhënat, teksa shton se vjedhja e të dhënave është bërë me qëllim fshehjen e udhëtimeve me charter të McGonigal, që u përfshi në skandalin me kryeministrin Rama dhe Bruno Prezecit e Franco Tossit, të akuzuar për aferën e inceneratorëve.
Berisha është ndalur edhe te afera e inceneratorit të Tiranës, për të cilin akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj, që sipas tij ka falsifikuar vendimin e Këshillit Bashkiak për t’I dhënë miliona euro Zotos dhe Mërtirit
Pjesë nga fjala e Berishës:
Vendosja e Ballës në krye të rendit u shoqërua me një akt të paimagjinueshëm, nxjerrjen e të dhënave personale, me një akt in extremis. Eksportoi të dhënat e TIMS që është databaza e cdo lëvizje të qytetarëve në kufijtë e Shqipërisë. Kur Ervin Muço u dërgua nga Balla për të ekzekutuar këtë krim, kur nuk iu bindën punonjësit që të jepnin të dhënat, shkoi mori kompani private, mori serverat në komisariat.
Çfarë duan të bëjnë këta me këto? Duan të shuajnë të gjithë charterat. McGonigal vinte me charter, Prezeci dhe Tossi kanë ardhur te Veliaj me charter. Duan të zhdukin çdo dëshmi në kohën kur ka ardhur databaza më gjigande e krimit, bisedat e telefonave të kriptuara.
Gushti ishte muaji i krimit edhe për SKAP e partisë. Bëri amnistitë e mëdha, hodhi kocka për tu përtypur. Sot kanë arrestuar në Morinë një udhëtar që i gjetën disa arka pije. Të arrestosh këtë dhe të amnistosh Veliajn nuk ka pabarazi më të turpshme para ligjit. Të shpallësh në sekuestro djegësin dhe të mos arrestosh Veliajn dhe të mos anullosh koncesionin është pabarazi. A ka më amnisti më kriminale sesa të mos ngresh akuzë ndaj Veliajt që falsifikon vendimin e Këshillit të Qarkut të Tiranës dhe thotë se janë mbledhur, kur nuk janë mbledhur kurrë. A ka krim më të shëmtuar sesa të akuzosh Ahmetajn që e ktheu 4 herë kërkesën e Veliajt për djegësin e Tiranës, atë e akuzon, këtë që e kërkoi e amniston. Edhe sot paratë derdhen në kontot e Zotos dhe Mërtirit? Veliaj është zotuar se do të kontrollojë çdo muaj punimet dhe nuk ka kontrolluar asgjë se i ka futur në kontot e tij.