Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka dalë nga ambientet e SPAK, ku është pyetur për rreth 2 orë nga prokurorët e posaçëm për fshehjen e dënimit të tij nga shteti grek për kalim të paligjshëm të kufirit.
Teksa dilte nga Prokuroria, ai u rrethua nga gazetarët, të cilët e pyetën për të mësuar më shumë rreth thirrjes së tij në SPAK, por përgjigjet e tij ishin shumë të shkurtra, teksa është dashur ndërhyrja e avokatit që të dilte nga situata.
Avokati Theodhori Sollaku u shpreh se vendimi i marrë nga KQZ ishte i drejtë, teksa tha se klienti i tij nuk ka bërë asnjë shkelje që të pengohet në vijimin e mandatit si kryetar bashkie.
“Ishim për një kallëzim të bërë nga subjektet politike për një dënim qortimi të dhënë në Greqi 25 vjet më parë. Kanë pretenduar se nuk e ka deklaruar. Nuk ka pasur asnjë vendim të publikuar, asnjë komunikim për këtë vendim. Por edhe nëse do të kishte, nuk do të kishte asnjë konseguencë”, tha avokati.
KQZ vendosi që të mos i ndërpresë mandatin, pavarësisht se u zbulua që ai kishte qenë i dënuar në Greqi me vendim të formës së prerë. Hajdari ishte dënuar me 4 muaj burg për shkelje të paligjshme të kufirit, teksa dënimi iu konvertua në 1500 dhrami.
Kreshnik Hajdari është denoncuar në SPAK së bashku me biznesmenin Pëllumb Salillari nga Lefter Maliqi, kundërshtari i tij në zgjedhjet e 14 Majit. Maliqi i akuzon të dy për blerje votash, ku sipas tij biznesmeni Salillari ka financuar për blerjen e votave për kryebashkiakun socialist.