VIDEO/ Gazetari Baton Haxhiu paraqitet në SPAK

Gazetari Baton Haxhiu është paraqitur mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Nuk dihet ende arsyeja se përse ai është thirrur nga prokurorët, teksa kohët e fundit ka pasur edhe një përplasje në distancë me kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Veliaj e akuzoi gazetarin se i kishte kërkuar shuma monetare për sondazhe, ndërkohë që Baton Haxhiu e krahasoi me mafiozin italian Tomaso Busketën.

“Tomaso Busketa i cili në një moment është penduar dhe filloi të bashkëpunojë me Falkonen, gjyqtarin e famshëm dhe kur ka filluar të bashkëpunojë, a e dini se çfarë ka ndodhur me Tomaso Busketën? Ka pushuar së qenuri mafioz. Sot, Erion Veliaj ka shkuar dhe bashkëpunuar ndershëm me kryeprokurorin”, shprehej gazetari pak ditë më parë.

Por vetë gazetari ka qenë i akuzuar nga opozita se ka marrë fonde nga inceneratorët, për të cilën dëshmoi disa ditë më parë në SPAK edhe Erion Veliaj.