Vetëm pak kohë në PS, Endrit Braimllari mëson të flasë me gjuhën e Ramës

Endrit Braimllari, dikur një prej më të besuarit e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tashmë ka kaluar me Partinë Socialiste, ku kandidon për deputet në listën e hapur të qarkut të Tiranës.

Braimllari, në një intervistë të dhënë në News24 ka folur me gjuhën e Ramës, i cili pothuajse çdo ditë, u kërkon votën qytetarëve në 11 Maj, për të marrë pasaportën e Bashkimit Europian.

Edhe Braimllari bëri thirrje që votat të shkojnë te PS, që sipas tij të marrim pasaportën e BE-së. Sipas tij Rama po flet me gjuhën e duhur, për atë çfarë kërkon diaspora.

“Ndihem i vlerësuar që jam pjesë e garës së PS për Tiranën. PS ka dhënë sinjale gjithëpërfshirjeje dhe hapje. Nuk ka rëndësi emri apo qenia në listë të hapur apo jo, rëndësi për mua ka ekipi.
19 vite angazhim në politikë, e kam nisur si anëtar i thjeshtë deri në role drejtuese dhe e di që një person që do të angazhohet, ka 2 elemente, pra kontributi dhe mundësia që të jepet. PS më dha një mundësi të përfshihem dhe tani më takon mua të jap angazhimin tim”, tha Braimllari ndër të tjera në fjalën e tij.