Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar disa problematika në lidhje me zbatimin e Amnistisë Penale të vitit të kaluar.
Përmes një njoftimi, ILD thotë se ka administruar nga Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve, të dhëna mbi problematika të mundshme të konstatuara gjatë zbatimit të këtij ligji, sa i takon zbardhjes së vendimeve gjyqësore; nxjerrjes së urdhrave të ekzekutimit nga prokurori; si dhe çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e magjistratëve, duke iniciuar më pas, verifikimin me iniciativë të informacionit në veprimtarinë e magjistratëve për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si dhe duke ushtruar kontroll në veprimtarinë e disa zyrave të prokurorisë dhe disa gjykatave për nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Në përfundim të këtij verifikimi u konstatuan disa problematika:
Konfuzion në interpretimin e dispozitave që lidhen me fillimin e ekzekutimit nga ana e prokurorit;
Mosveprim i menjëhershëm pas administrimit të vendimit të shkurtuar, për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit;
Mënyra të ndryshme të të kuptuarit dhe të zbatuarit të dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat;
Konstatim i diferencës kohore midis datës së vendimit të formës së prerë dhe përcjelljes së tij;
Mospërputhje e datës së hyrjes së vendimit në sekretarinë e prokurorisë me datën e marrjes në dorëzim nga prokurori si dhe datën e shkresës përcjellëse të këtij urdhri;
Mos pasqyrim në librat e brendshëm të dorëzimit, të datës së marrjes në administrim nga prokurori i ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të përcjella dhe të protokolluara.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka analizuar veprimtarinë e gjykatave dhe zyrave të prokurorive të konstatuara gjatë verifikimit në raport me kuadrin ligjor në fushën e ekzekutimit të vendimeve penale, jurisprudencës kushtetuese, duke evidentuar problematika, të cilat duhet të mbahen në vëmendje nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të gjitha gjykatat e shkallëve të para të juridiksionit të përgjithshëm dhe zyrave të prokurorive pranë tyre.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë thekson domosdoshmërinë e respektimit të afateve ligjore dhe bashkërendimit të veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve penale, për të garantuar njohjen dhe zbatimin e të drejtave të njohura për çdo kategori, të paraburgosur apo të dënuar sipas legjislacionit të posaçëm, ndërsa kërkon vëmendje të shtuar, kur miratohen nisma si ligji për amnistinë, nga ana e zyrave të prokurorive, gjykatat dhe IEVP-të, për të qenë rigorozë në zbatimin e kërkesave ligjore dhe afateve procedurale, për të mos sjellë pasoja në përftimin e të drejtave dhe lehtësive të njohura nga ky ligj.