Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pranoi kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës dhe ka shfuqizuar ndryshimet e fundit në rregulloren e Kuvendit që preknin funksionimin e komisioneve të përhershme.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka konstatuar probleme në procedurën e ndjekur për miratimin e ndryshimeve, duke evidentuar përdorimin e procedurës së përshpejtuar dhe parregullsi në mënyrën e thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve. Sipas vendimit, këto elementë bien ndesh me standardet kushtetuese dhe rregullat e funksionimit parlamentar.
Pas vendimit ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi këtë si një konfirmim të qëndrimit të opozitës për cenimin e të drejtave të saj në Kuvend.
Bardhi akuzoi mazhorancën se po qeveris përmes imponimit të votës dhe jo përmes dialogut politik, duke shtuar se klima në Parlament është përkeqësuar ndjeshëm. Sipas tij, vendimi i Kushtetueses tregon se shqetësimet e ngritura prej kohësh nga opozita kanë qenë të bazuara.
Ai theksoi se Kuvendi, si institucioni më i lartë përfaqësues, duhet të garantojë bashkëjetesën politike dhe respektimin e rregullave demokratike, ndërsa paralajmëroi se opozita do të vijojë betejën për, siç u shpreh ai, “rikthimin e normalitetit parlamentar”.
Reagimi i plotë:
EUROPA NIS ATY KU MBROHET PARLAMENTARIZMI!
Gjykata Kushtetuese, njëzëri, rrëzoi dje aktin e parë të Legjislaturës së re të Kuvendit, duke konstatuar dhunimin brutal të rregullave të parlamentarizimit. Vendimi sanksionoi cënimin e parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve, si dhe shkeljen e rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit dhe të procedurës parlamentare për miratimin e akteve.
Prej kohësh, kemi ngritur shqetësimin për degradimin e Kuvendit. Organi më i lartë kushtetues në vend po sillet si një strukturë njëpartiake, që shpërfill rregullat e bashkëjetesës mes forcave politike dhe imponon vendime pa debat të mirëfilltë, thjesht me forcën e kartonit. Ky nuk është parlamentarizëm. Ky është banditizëm.
Të gjithë mbajmë mend se si në vitin 2012, Komisioni Europian kushtëzoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, me ndryshimet konsensuale në Rregulloren e Kuvendit. Sot, përkundrazi, bashkëpunimi parlamentar është zhbërë, rregullat shpërfillen, Kushtetuta shkelet hapur dhe dialogu është zëvendësuar nga imponimi brutal i vullnetit të shumicës. Madje, maxhoranca, ende pa u shpallur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deklaron hapur se do ta injorojë atë dhe do të miratojë sërish të njëjtin akt, pa asnjë diskutim.
Ky zhvillim nuk meriton heshtjen, por vëmendjen e të gjithë atyre që e konsiderojnë parlamentarizmin themel të integrimit europian. Sepse parlamentarizmi nuk mund të jetë çështje vetëm e diskutimeve burokratike në raporte vjetore progresi. Kur cënohen parimet e balancës dhe dialogut institucional, standardet europiane duhet të mbrohen në mënyrë të dukshme, të qëndrueshme dhe jo selektive.
Kushdo që kërkon “konstruktivitet” në kushtet e shkeljes së rregullave, e mori dje përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese: demokracia nuk ndërtohet mbi imponimin e dhunshëm antikushtetues të shumicës. Prandaj, sot është dita që secili të marrë përgjegjësi dhe të dënojë pa hezitim instalimin e banditizmit në Kuvend, duke folur hapur për dhunën e kartonëve që ka zëvendësuar debatin dhe ka deformuar kuptimin e parlamentarizmit. Si në çdo vend demokratik europian, konstruktiviteti nuk nënkupton heshtje përballë shkeljeve, por mbrojtje të Kushtetutës, të rregullave dhe të balancës institucionale.
Opozita as ka qenë dhe as do të jetë fasadë për legjitimimin e praktikave antidemokratike, praktika që, për fat të keq, po shtrihen edhe në institucione të tjera kushtetuese, nga Avokati i Popullit deri te votimet e fundit të Parlamentit për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Shqipëria europiane nuk ndërtohet me institucione kushtetuese njëpartiake, por me institucione të pavarura dhe me integritet. Heshtja përballë cënimit të parlamentarizmit dhe kompromisi me antiligjin nuk prodhojnë stabilitet europian, prodhojnë probleme që sot i vuajnë shqiptarët, por nesër do të peshojnë mbi vetë Bashkimin Europian.