Vendi në prag fushate, KQZ i kërkon Kuvendit të mos votohen dy pr.ligje: Ndikojnë te elektorati

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë dy projektligjet teksa vendi përgatitet për zgjedhjet e 11 Majit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Celibashi shkruan se bëhet fjalë për projektligjet: “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për paketën e maleve”

Sipas tij, miratimi i këtyre akteve gjatë fushatës bie ndesh me parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore dhe mund të perceptohet si favorizim elektoral përmes politikave fiskale. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të mos i kalojë këto dy projektligje në seancën plenare.

Lexo edhe: https://ditar.al/malet-e-shqiperise-ndahen-si-copa-torte-qeveria-ua-fal-investitoreve-strategjike/

Reagimi i Celibashit:

Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligjit “Për paketën e maleve”, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike.
Në këtë kontekst, miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale. Për këtë arsye, i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mos i shqyrtojë këto dy projektligje në seancë plenare.