Partia Demokratike ka reaguar pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj me urdhër të SPAK. Sipas PD, ka qenë kryeministri Edi Rama që ka urdhëruar arrestimin e Veliajt pasi këshilltari i lartë i ekipit të fushatës zgjedhore të Donald Trump, Christopher LaCivita do të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas PD, Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn sot, me qëllim sfumimin e lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë.
“Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Presidentit Donald Trump, dhe Shefi i Komitetit Kombëtar Republikan, nga dita e sotme do të drejtojë zyrtarisht fushatën e Partisë Demokratike dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Sali Berisha drejt fitores së zgjedhjeve të 11 majit.
Zoti LaCivita paralajmëroi në konferencën për shtyp, se kukullat e George Soros nuk mund të jenë më partnerë të SHBA-ve dhe ato do të çmontohen një nga një.
Atë që deri dje konsiderohej e pamundur, ne do ta bëjmë të mundur!
Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt.
Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë”– thuhej mes të tjerash në deklaratën e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi.
Ndërkohë Berisha në një komunikim të shkurtër për mediat nga selia blu, tha se me arrestimin e Veliajt po shëmbet piramida e krimit.
Erion Veliaj u arrestuan mesditën e sotme me urdhër të SPAK ndërsa “arrest shtëpie” është caktuar ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Masa e sigurisë ndaj saj nuk është ekzekutuar pasi Xoxa ndodhet jashtë vendit.