Veliaj kërkon lirimin nga burgu, Gjykata Kushtetuese cakton datën e seancës për shqyrtimin e ankimit

Më datë 20 Maj do të zhvillohet seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për shfuqizimin e disa vendimeve të GJKKO.

Në ankimin e tij, Veliaj kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dy vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin dhe vazhdimin e masës, të marra në datat 9 shkurt dhe 12 shkurt, atë të Apelit të Posaçëm të datës 13 mars 2025, si dhe të vendimit të 8 korrikut 2025 të Gjykatës së Lartë për rrëzimin e rekursit.

Kujtojmë se Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.