Vdekja e 12-vjeçarit nga Korça/ QSUT: Është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT) ka reaguar publikisht për vdekjen e një të mituri nga Korça, mëngjesin e kësaj të mërkure.

Sipas QSUT-së,12-vjeçari u nda nga jeta si pasojë e miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.

Më tej, QSUT-ja pohon se pavarësisht ndihmës dhe kujdesit të treguar nga bluzat e bardha, ka qenë e pamundur evitimi i vdekjes së të miturit.

Reagimi i QSUT

QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë.

Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike.

Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.

Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.

Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.